Lajme

Abdixhiku: Arroganca e Qeverisë po i dëmton interesat strategjike të vendit

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se Qeveria e Kosovës po e dëmton raportin me aleatët si SHBA-të, për arrogancën e treguar karshi kërkesave të tyre.

Këto deklarata i pari i LDK-së, i ka bërë në komunën e Dragashit, ku ka mbajtur takim me qytetarët e kësaj komune, në kuadër të tureve nëpër qytetet e Kosovës.

Sipas tij kërkesat e ndërkombëtarëve duhet të trajtohen me ndjeshmëri sepse janë esenciale në pozicionimin tonë.

“U thash se në kohë të zhvillimeve të ndjeshme politike, institucionet e vendit duhet t’i trajtojnë me ndjeshmëri të lartë rekomandimet dhe kërkesat e miqve tanë. Sjellja me arrogancë ndaj kërkesave të sinqerta të tyre, dëmton interesat strategjike të vendit. Siç na mëson e shkuara, këto marrëdhënie janë fundamentale për progresin tonë kolektiv; siç janë esenciale për pozicionimin tonë më të mirë në kohë të paqartësive globale”, ka shkruar Abdixhiku në rrjetin Facebook.

Si brengosëse shihet deklarata e Departamentit amerikan të Shtetit, ku ata u shprehën se ndihen të zhgënjyer e të shqetësuar në lidhje me vendimet e Qeverisë së Kosovës në lidhje me shtyerjen e afatit për targat, e që nuk ishte kërkesë për një kohë aq të shkurtër, thotë Abdixhiku.

Kujtojmë se gjatë ditës Qeveria e Kosovës vendosi për shtyerjen e afatit për ndërrimin e targave, por që nuk ishte në vijë me kërkesën e SHBA-ve për shtyerje në afat prej 10 muajsh.

E krejt kjo situatë ngjalli reagimin e DASH-it, që përmes reagimit të tyre u shprehën se është shqetësuese kjo gjendje, duke bërë thirrje që të ulen tensionet mes Kosovës e Serbisë.

/Shqip.com