A do t’i përjashtojë Gazment Bardhin dhe mbështetësit e tij? Përgjigjet Lulzim Basha…
Lulzim Basha ka folur për herë të parë pasi Partia Demokratike përjashtoi nga grupi parlamentar 11 deputetë, me arsyetimin se mbështetën Sali Berishën. Pas debateve në sallën e Kuvendit, Basha dha një prononcim për mediat jashtë.
I pyetur nëse do të kenë të njëjtin fat edhe ata që u rreshtuan krah Gazment Bardhit, Basha u shpreh se deputetët do maten nga detyra që bëjnë.
“PD do veprojë si çdo parti, do i kërkojë deputetëve të bëjnë detyrën e vet dhe do të masë çdo deputet nga detyra që ka nga karshi demokratëve dhe qytetarëve”, tha Basha.
Kryedemokrati atakoi drejtpërdrejt Gazment Bardhin se “deri dje sulmonte “babain e Zenit” dhe sot është bërë avokat i “babit të Zenit” dhe kullave 64 katëshe“.
Duke iu përgjigjur akuzave të Bardhit se ka marrë 2 kate te kulla më e shtrenjtë në Tiranë, Basha tha se familjarët e tij kanë të deklaruar çdo transaksion dhe paguajnë taksat, ndryshe nga siç u shpreh ai, “aleanca e kullave dhe avokati më i tyre më i ri Gaz Bardhi“.
Basha: Turp që Kuvendi nuk mbajti qëndrim për Kosovën
Kreu i PD-së, Basha e konsideroi një ditë turpi faktin që Kuvendi i Shqipërisë nuk mbajti qëndrim për Kosovën. Basha theksoi se salla e parlamentit është nën kontrollin e atyre që duan ta mbajnë vendin pa opozitë funksionale.
“Sot është një ditë turpi tjetër për Kuvendin, duhet të kishte mbajtur qëndrim për Kosovën. Nuk arrin dot të formulojë një qëndrim, është një nga momentet më të turpshme të Parlamentit që është kthyer në neveri për shqiptarët. Nëse PD do të ishte përfaqësuar në mënyrë zyrtare, PS do kishte kartonët e vet por edhe turpin për shtyrjen me 1 javë.
Salla është nën kontrollin e atyre që duan ta mbajnë vendin pa opozitë funksionale. Qytetarët kërkojnë ndryshim, ky Parlament ka rënë akoma pa ardhur data e zgjedhjeve të ardhshme. Do jemi me njerëzit që Parlamenti i ardhshëm të ketë fytyrat e tyre dhe jo në maskaradë të shpifur si kjo që po shohim”, tha ai.
/Shqip.com