7 shkolla të reja e subvencionim për dërgim të fëmijëve në çerdhe – plani i Ramës për Prishtinën

Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryetar të komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka bërë të ditur planin e tij qeverisës lidhur me ndërtimin e shkollave në lagjet e kryeqytetit, transmeton Shqip.com.
Në “Debat Përnime” përballë Jeta Xharrës, Rama tha se e ka në plan të ndërtojë për shtatë lagje nga një shkollë.
“Në do t’i ndërtojmë shtatë shkolla në këto lagje: Sofali, Mat, Prishtina e Re, Veternik, Kalabri, Kroi i njelmët dhe në Kodër të Trimave. Në planin tonë kemi buxhetuar 21 milionë euro për ndërtimin e këtyre shkollave. Tri nga to do të përfundojnë brenda dy vjetëve, katër të tjera brenda mandatit tonë të parë katër vjeçar”, ka thënë Rama.
Ai gjithashtu tha se do të ndërtojnë edhe anekse të shkollave, cilat do të mundësonin që fëmijët në Prishtinë të kenë mësim tërë ditor brenda mandatit të parë të tij qeverisës.
“Po ashtu do të bëjmë ndërtimin e anekseve të shkollave që tashmë janë të buxhetuara. Me këtë plan do të shkarkojmë shkollat nga numri i madh i nxënësve dhe rrjedhimisht do të hyjmë në procesin e mësimit gjithë ditor. Brenda katër vjetëve, 50% të shkollave do të hyjnë në mësim gjithë ditor”, ka thënë më tej ai.
Në ndër pikat tjera jo më pak të rëndësishme të planit të tij është subvencionimi i prindërve me të ardhura më pak se 500 euro në muaj me nga 70 euro në muaj për secilin fëmijë për pagesën e çerdhes. /Shqip.com