Ekonomi Biznes

430 milionë euro i kanë borxh bizneset ATK-së

Asministrata Tatimore e Kosovës

430 milionë euro është borxhi që bizneset kanë ndaj Administratës Tatimore të Kosovës (ATK).

Kështu ka bërë të ditur drejtori i këtij institucioni, Ilir Murtezaj, duke shtuar se shpreson që këtë vit stoku i borxhit të ulet, ngase vlerësimet kanë qenë jo të mira si nga institucionet vendore ashtu edhe ndërkombëtare.

“Mirëpo në vitin 2019, siç e kemi raportuar në vazhdimësi ka ndodh një rikthim i madh, duke arritur që për herë të parë pas 19 vjetëve ta ndalim atë trendin e rritjes së stokut dhe borxheve dhe ta ulim diku për 6% ose në vlerë mbi 20 milionë euro”.

“Viti 2020 ishte vit pandemik edhe sikurse të gjitha administratat tatimore gjithë andej botës që kanë qenë të detyruara që të krijojnë zgjidhje ligjore gjithherë edhe ne u detyruam”, ka thënë ai në një intervistë për EO.

Drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj

Murtezaj ka shtuar se aktualisht se stoku i borxhit është rreth 430 milion euro.

“Të gjitha këto rezultate me kalimin e pandemisë dhe vështirësive që bizneset i kanë për shkak të pandemisë, ne gjithsesi presim rezultate shumë më të larta gjatë periudhës në vijim”.

Mes tjerash, ka theksuar se ka qenë lehtësi edhe vendim i Qeverisë për faljen e ndëshkimeve në rast se bizneset deri më 30 qershor i paguajnë bazën e tatimit dhe interesit.

“Mundësitë ligjore që i kemi pasur i kemi dhënë bizneseve me qëllim që për shkak tatimeve bizneset të mos falimentojnë. Të kemi mundësi të zhvillojnë afarizmin e tyre por njëkohësisht ti përgjigjen shtetit në raport me detyrimet që ata kanë”

Murtezaj ka thënë se aktualisht janë mbi 35 mijë biznese të cilat janë të fiskalizuara. Ka shtuar se nëse këtë numër e shohim në proporcion me numrin e përgjithshëm të bizneseve është sa 1/3.

“Kemi aplikuar një vegël nga fillimi i shtatorit deri më datën 12 tetor dhe sot mbi 17 mijë biznese janë deklaruar që nuk i obligon ligji që të fiskalizohen. Jemi detyruar që më datën 12 ta ndërpresim me qëllim që t’i japim mundësi bizneseve që të deklarohen”.

Sa i përket fiskalizimit, ka thënë se aktualisht udhëzimi ri administrativ për pajisje fiskale është në draftim.

Përmes këtij udhëzimi parashihen disa lehtësime edhe në procesin e mëtutjeshëm të fiskalizimit të bizneseve si dhe në mirëmbajtjen e pajisjeve fiskale.

“Gjatë periudhës korrik-gusht-shtator ka qenë një lloj kampanje me qëllim të identifikimit të bizneseve të cilat nuk lëshojnë kuponë fiskal dhe masat tona kanë qenë bukur të mëdha. Diku mbi 9 000 biznese janë identifikuar që nuk kanë lëshuar kuponë fiskal dhe që janë gjobitur ato”.

“Vlerësimet tona si ATK kanë ardhur në konkludim se nuk po mjaftojnë gjobat monetare dhe në këtë rast kemi bërë propozime që të bëhen ndryshime ligjore me qëllim që të krijohet mundësia që ndaj bizneseve që i përsërisin shkeljen e njëjtë, moslëshimi i kuponëve fiskal të jepet e drejta që të bëhet mbyllja e bizneseve për periudha të caktuara”./SHQIP.com