4 veprime për të mbajtur nën kontroll migrenën
Njerëzit që vuajnë nga migrena e dinë shumë mirë sa agresive dhe e paparashikueshme është ajo, veçanërisht kur është kronike.
Por, cilat janë shkaqet e saj?
Gjenetika zë një vend shumë të rëndësishëm, por edhe mungesa e gjumit, dehidratimi, alkooli, kafeina e tepërt, zhurmat e vazhdueshme, dritat dhe stresi janë faktorë që shkaktojnë migrenën. Por, e mira është se në momentin që ti e gjen se çfarë e nxit, mund të shmangësh faktorët.
Dhe, pyetja 1 milion dollarëshe: Si mund ta mbash nën kontroll migrenën?
Redukto stresin
Stresi është një ndër faktorët më të zakonshëm që aktivizojnë migrenën. Ajo që mund të bësh është të meditosh, të ndjekësh terapi dhe të mbash trupin aktiv. Gjithashtu, puno me frymëmarrjen, pasi një mendje e stresuar është shtëpia e migrenës.
Konsumo vakte të shëndetshme
Mos ndiq trende, as mos bëj fasting, pasi të gjitha këto ndikojnë në “zgjimin” e migrenës. Duke konsumuar fruta, perime, fibra dhe proteina, do të arrish ta mbash nën kontroll atë.
Mbaj një rutinë të caktuar
Ndryshimi i rutinës, orarit të gjumit, si dhe ndjekja e një kure që ndryshon nivelet e hormoneve sjellin edhe aktivizimin e migrenës. Mundohu të ndjekësh një rutinë të caktuar, e cila të ndihmon të mos përjetosh dhimbjen më agresive të kokës.
Merr dozën e duhur të kurave
Nëse ndjek një mjekim specifik, mos harro të konsultohesh me mjekun për ndryshimin e dozës së kurës.
/Shqip.com