Lajme

22 vjet nga vrasja e vëllezërve Bytyqi – nëna Bahrije pret drejtësi për djemtë e saj

Nëna e vëllezërve Bytyqi

Ish-ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, ka publikuar fotografinë e së ëmës së vëllezërve Bytyqi, të cilët u ekzekutuan 22 vjet më parë nga policia serbe, njofton Shqip.com.

Nëna Bahrije tash e 22 vjet po pret drejtësi për djemtë e saj.

Derisa publikoi fotografinë e saj, Çitaku tha se veçse dihet identiteti i urdhërdhënësve për ekzekutimin e Yllit, Agronit dhe Mehmetit, por në vend të ndëshkimit, ata po dekorohen nga shteti serb.

“Ylli, Agroni dhe Mehmeti u ekzekutuan nga shteti Serb. Urdhërdhënësit dihen me emër dhe mbiemër. Në vend të ndëshkimit, shteti serb po i dekoron ata”, ka shkruar Çitaku.

Në këtë përvjetor, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi ka kërkuar nga Qeveria serbe që të hetojë plotësisht vrasjen e vëllezërve Bytyçi.

“Kanë kaluar njëzet e dy vjet pa drejtësi për tre shtetas amerikanë që u ekzekutuan nga forcat speciale të policisë serbe. Ne nuk do ta harrojmë vdekjen e vëllezërve Bytyçi, as nuk do të ndalemi së kërkuari drejtësi për ata”, kanë shkruar nga Ambasada në Tëitter.

“Autoritetet serbe duhet ta hetojnë plotësisht këtë krim dhe të tregojnë përparim në sundimin e ligjit”. /Shqip.com